Në datën 9 tetor nisin regjistrimet në ciklin e dytë të studimeve, pranë Universitetit të Mjekësisë. Procesi i regjistrimeve do të jetë i hapur deri në datën 27 tetor. Lidhur me këtë fakt, gazeta “Republika” publikon procedurat dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për të ndjekur programet “Master Profesional” dhe “Master Shkencor”, kuotat dhe tarifat për të gjitha programet e studimit që ofron Universiteti i Mjekësisë. Në vijim të procedurave të pranimit dhe regjistrimit në vitin e ri akademik 2013-2014 për ciklin e dytë të studimeve me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave”, bazuar në Vendimin nr. 744, datë 05.09.2013, të Këshillit të Ministrave “Për kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit në institucionet publike të Arsimit të Lartë, për ciklin e dytë të studimeve, me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave/Master i Arteve të Bukura”, për vitin akademik 2013- 2014″, dhe në mbështetje të Udhëzimit Nr. 49, datë 06.09.2013, të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve “Për procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në ciklin e dytë të studimeve me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master Shkencor/Master i Arteve të Bukura” në institucionet Publike të Arsimit të Lartë, në vitin akademik 2013-2014”, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë informon studentët mbi procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në Fakultetin e Shëndetit Publik dhe në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike:
Kur nisin aplikimet
Aplikimet për regjistrim në programet e studimit të ciklit të dytë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” bëhen pranë sekretarive mësimore të dy Fakulteteve të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë duke nisur nga data 09.09.2013 deri në datë 27.09.2013, nga ora 08:00 deri në orën 16:00, ku kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dokumentacionin e mëposhtëm:
Dokumentacionet që duhen për regjistrim
a) Fotokopje të noterizuar të diplomës së ciklit të parë të studimeve të shoqëruar me listën origjinale të notave;
b) Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë) dhe fotokopje të tyre. Në dosje do të mbahet fotokopja e kartës së identitetit ose e pasaportës.
c) 2 fotografi;
d) Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit 2.500 lekë, paguar në Postën Shqiptare;
e) Deklaratë e kandidatit që vërteton se nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi të ciklit të dytë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave/Master i Arteve të Bukura”, në institucionet publike të Arsimit të Lartë.
Si do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve fitues
Sa i takon përzgjedhjes së kandidatëve fitues, pranë dy Fakulteteve të Universitetit të Mjekësisë, për çdo program studimi të ciklit të dytë me kohë të plote do të ngrihen komisione të posaçme, sipas fushave përkatëse, në përputhje me kriteret e pranimit të vendosura dhe të shpallura publikisht.
Kur shpallen fituesit
Brenda orës 16.00, të datës 05.10.2013, Universiteti i Mjekësisë, do të publikojë dhe afishojë listat e aplikantëve fitues në faqen zyrtare të internetit www.umed.edu.al dhe në mjediset e sekretarive mësimore të dy Fakulteteve përkatëse, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga aplikantët, në përputhje me kuotat e pranimeve, të miratuara sipas Vendimit nr.744, datë 05.09.2013, të Këshillit të Ministrave.
Regjistrimi përfundimtar i fituesve
Regjistrimi i aplikantëve në programet e studimit ku janë shpallur fitues do të zhvillohet nga data 07.10.2013 deri në datën 11.10. 2013, nga ora 08:00 deri në orën 16:00 pranë sekretarive mësimore të dy Fakulteteve përkatëse të Universitetit të Mjekësisë. Ndërkohë, dokumentat e aplikantëve jo fitues do t’u kthehen personave kundrejt kërkesës së tyre. Për regjistrimin, kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të paraqesë në origjinal dokumentet e sjellë më parë në fotokopje të noterizuar. Kandidatët që rezultojnë të regjistruar në programe të tjera studimi të ciklit të parë, ose të dytë, me kohë të plotë apo të pjesshme, në IAL-të publike, nuk marrin numër matrikulimi dhe do të ç’regjistrohen.
Edlira Mema