Flasin Luljeta Hidi dhe Artur Katuçi, përfaqësues të Kryqit të Kuq Shqiptar
Fenomeni i vdekjeve nga traumat, numër i lartë viktimash si pasojë e veprimeve të gabuara. Misioni primar i Kryqit të Kuq, sensibilizimi i qytetarëve
“Çdo ditë kronikat e lajmeve, gazetave, medieve në përgjithësi hapen me lajme, ku në fokus ngelen aksidentet. Qofshin këto, aksidentimi i kalimtarëve në rrugë, apo dhe vetë drejtuesit e automjeteve, ndaj ngelet një ndër shqetësimet më të mëdha. Duke marrë shkas dhe nga iniciativa që është marrë për këtë dekadë, e cila quhet dekada e “Sigurisë Rrugore”, për vetë faktin se numri i personave që humbasin jetën për shkak të aksidenteve po shkon gjithmonë e më shumë në rritje. Ndaj, ne si Kryqi i Kuq Shqiptar përpiqemi të punojmë përsa i përket sensibilizimit ose përhapjes së njohurive rreth ndihmës së parë, qoftë për publikun e gjerë apo dhe drejtuesit që pajisen me lejen e drejtim të automjeteve.”-kështu rrëfen gjatë një intervista për Gazetën “Republika”, Luljeta Hidi, Koordinatore e Programit “Ndihma e Parë”. Sipas shumë raporteve që bëhen për shkaqet e aksidenteve dhe numrit të lartë të personave që humbin jetën, tregohet se një ndër shkaktarët që i çojnë drejt vdekjes këta njerëz janë traumat e shkaktuara gjatë transportimit të tyre nëpër spitale. “Ka disa specifika dhënia e ndihmës së parë. Nëse këtë ndihmë të parë do ta japësh në një vend ku paraqet rrezik; më parë siguro veten dhe pastaj personat e aksidentuar. Por nëse nuk ndihesh i aftë ta japësh këtë ndihmë, mjafton një telefonat në Urgjencë, dhe më pas ti japësh kurajo të aksidentuarave. Jo të gjithë mund ta lëvizin personin e dëmtuar, pasi shpesh ndodh që nga lëvizjet e gabuara mund ti shkaktojmë personit pasoja akoma dhe më të rënda nga ato që ka pësuar gjatë aksidentit.”-shtoj më tej Luljeta Hidi. Detaje interesante jep dhe Artur Katuçi, Shef i Departamentit të Komunikimit pranë Kryqit të Kuq Shqiptar, i cili tregon për rolin e këtij institucioni. “Kryqi i Kuq ka lindur nga lufta dhe aktiviteti i parë që është bërë në luftë. Ndaj ndihma e parë është shumë e lashtë, e cila lidhet me luftën, kalojë tek katastrofat dhe më pas me aksidentet.”-kështu bën me dije Artur Katuçi.
-Ç’mund të na thoni në lidhje me rastet e aksidenteve në vend, të cilat marrin jetë njerëzish pothuajse çdo ditë? A është në nivelet e duhura ndihma e parë që ofrohet gjatë këtyre aksidenteve?
Çdo ditë kronikat e lajmeve, gazetave, medieve në përgjithësi hapen me lajme, ku në fokus ngelen aksidentet. Qofshin këto, aksidentimi i kalimtarëve në rrugë, apo dhe vetë drejtuesit e automjeteve, ndaj ngelet një ndër shqetësimet më të mëdha. Duke marrë shkas dhe nga iniciativa që është marrë për këtë dekadë, e cila quhet dekada e “Sigurisë Rrugore”, për vetë faktin se numri i personave që humbasin jetën për shkak të aksidenteve po shkon gjithmonë e më shumë në rritje. Ndaj, ne si Kryqi i Kuq Shqiptar përpiqemi të punojmë përsa i përket sensibilizimit ose përhapjes së njohurive rreth ndihmës së parë, qoftë për publikun e gjerë apo dhe drejtuesit që pajisen me lejen e drejtim të automjeteve. Kjo punë ka nisur që bë vitin 2005, vit në të cilin është licencuar Kryqi i Kuq Shqiptar përsa i përket trajnimit të drejtuesve të mjeteve për marrjen e patentave. Por Kryqi i Kuq, ka pasur në fokus përhapjen e njohurive të ndihmës së parë që në vitin 91, një nga programet, krahas të dhënave të tjera ka qenë dhe ndihma e parë dhe përhapja e njohurive dhe rritjen e numrit të personave të trajnuar dhe të aftë për ta dhënë këtë ndihmë të parë.
- Duke marrë shkas nga çka përmendët më sipër, Kryqi i Kuq ofron dhe kurse për informimin e kursantëve që presin të marrin lejet e drejtimit të automjeteve. Mendoni se janë të mjaftueshme 8 orë për një shofer për të marrë informacionet e duhura që të jetë i aftë të jap ndihmë gjatë një rasti aksidenti, kjo duke marrë shkas dhe nga rastet e vendeve të tjera perëndimore?
Ndihma e parë është ai minuta e artë që quhet në Kryqin e Kuq. Kjo ndihmë jepet në vendin ku ka ndodhur ngjarja dhe nga personat që ndodhën në vendngjarje. Lidhur nga ky fakt, programi i vënë në dispozicion prej tetë orësh, është një program i studiuar dhe sjellë si përvojë nga kryqet e Kuqe të vendeve të tjera. Tashmë Kryqi i Kuq Shqiptar, këtë program e aderon dhe me Certifikatën Europiane të Qendrës së Referencave Për Edukimin e Ndihmës së Parë. Ndaj, është e licencuar dhe temat janë mëse të mjaftueshme për të marrë njohuritë e duhura dhe bazë, ku secili person mund të ofrojë ndihmën e parë gjatë një situate rreziku. Pastaj ngelet në dorë të personave, të cilët kanë dëshirë që të zgjerojnë njohuritë e tyre për më shumë, janë të mirëpritur të kalojnë fazat e tjera të kursit. Por duhet thënë se kursanti për këto 8 orë merr njohuritë bazë, sipas temave të caktuar: Masat e sigurisë, si mund të bëhet një masazh kardiak, si mund të ndalohet një gjakdergje, deri tek helmimet dhe kafshimet e përditshme që mund ti ndodhin njerëzve kudo. Ndaj është e mirëstudiuar që ky program është mëse i mjaftueshëm. Më pas varet nga personat sesa të aftë janë ata të gjenden përballë situatave të rrezikshme, ku të japin ndihmën e parë.
- Një ndër faktorët e humbjes së jetëve gjatë aksidenteve janë traumat, të cilat ndodhin për shkak të dhënies të ndihmës së parë në mënyrë të gabuar. Si mund ta komentoni këtë fenomen, si specialiste e kësaj fushe?
Në kurset tona, personit që e trajnojmë i shpjegojmë se ndihmën e parë mund ta jap kushdo, mjafton që të jetë i trajnuar sipas temave specifike. Por, ka disa specifika dhënia e ndihmës së parë. Nëse këtë ndihmë të parë do ta japësh në një vend ku paraqet rrezik; më parë siguro veten dhe pastaj personat e aksidentuar. Por nëse nuk ndihesh i aftë ta japësh këtë ndihmë, mjafton një telefonat në Urgjencë, dhe më pas ti japësh kurajo të aksidentuarave. Jo të gjithë mund ta lëvizin personin e dëmtuar, pasi shpesh ndodh që nga lëvizjet e gabuara mund ti shkaktojmë personit pasoja akoma dhe më të rënda nga ato që ka pësuar gjatë aksidentit. Kjo pasi, ka disa mënyra, teknika lëvizje dhe kur paraqet domosdoshmëri kjo lëvizje. Jo gjithmonë mund të lëvizim një të aksidentuar, ndaj këto mësohen dhe trajnimet që ofron Kryqi i Kuq, nga mënyra sesi të lëvizim një të aksidentuar, ku duhet të përqendrohet. Ndaj personat duhet të jenë të aftë ta japin këtë ndihmë të parë.
- Cilat janë disa nga projektet që ka në fokus Kryqi i Kuq Shqiptar, sa i takon sensibilizimit për ndihmën e parë?
Siç e përmenda më lartë, qëllimi dhe misioni i Kryqit të Kuq është sensibilizimi dhe përhapja e njohurive të ndihmës së parë. Kryqi i Kuq Shqiptar, shtrihet në 39 degë në vend dhe ka zhvillon aktivitete nga më të ndryshmet. Aktivitetet e ndihmës së parë kanë një ditë kulmore, siç është 14 shtatori, “Dita Botërore e Ndihmës së Parë”, e shpallur dhe nga Federata Ndërkombëtare e Gjysmës së Kuqe, por që nuk ndërpriten gjatë gjithë vitit. Veprimtaritë tona janë të alternuara, sensibilizim, shpërndarje materialesh informuese, por njëkohësisht këtë vit i është dhënë prioritet sigurisë rrugore. Puna jonë ndoshta duket modeste, por ne përpiqemi të bëjmë nëpërmjet grupeve vullnetare në ditë të caktuara, të organizuara nga vetë ata, orientimin e kalimtarëve në kryqëzime, në semafor. Kjo bëhet kryesisht në ato zona ku ka më shumë fluks njerëzisht dhe prioriteti jonë më shumë tek moshat e treta dhe fëmijët. Gjatë gjithë vitit merremi me trajnimin e nxënësve dhe studentëve, të cilët bëhen më pas vullnetar në këtë nismë. Ndërkohë, ne ofrojmë kurse trajnimi për publikun e gjerë dhe institucionet ose për bizneset dhe kompanitë, të cilat me kodin e punës duhet që 1 në 10 punonjës ta kenë të trajnuar për ndihmën e parë.
- A shprehin interes të rinjtë shqiptar për të qenë pjesë e grupeve vullnetare të Kryqit të Kuq?
Për të fat të mirë, tashmë kemi një fluks të pjesëmarrjes së vullnetarëve të shkollave të mesme, pasi ata bëjnë dhe një kurrikul në shkollë, e cila lidhet me këtë temë. Ndaj të gjitha këto shkolla, publike dhe jo publike, të cilat i drejtohen Kryqit të Kuq Shqiptar, por jo vetëm për programin e ndihmës së parë, por dhe për shumë të tjera. Pas gjithë këtyre fazave, ata trajnohen dhe bëhen pjesë e vullnetarëve aktiv të Kryqit të Kuq Shqiptar.
Punuan:
Edlira Mema
Osman Dedja