Shërbimi Kombëtar i Punësimit, subvencionim për kurset profesionale
Shërbimi Kombëtar i Punësimit ofron kurse profesionale për të gjithë të interesuarit që duan të trajnohen në një drejtim. Për ta mjafton që të regjistrohen në një nga kurset, kundrejt një tarifë minimale për sa i takon një profesioni. Por nga kjo tarifë përjashtohen disa kategori, ku mund të përmendim gratë e trafikuara apo dhe fëmijët jetim. Shërbimi Kombëtar i Punësimit në mbështetje me Ministrinë e Mirëqënies Sociale, ndjek një program të veçantë për gjetjen e tregut të punës për punëkërkuesit e papunë. Nxitja e punësimit është ndër programet aktive, i cili nëpërmjet sigurimit të punësimit të përkohshëm apo afatgjatë ndikon në kërkesën për punë duke reflektuar drejtpërsëdrejti në uljen e papunësisë. Përmes këtij programi Zyrat e Punësimit ndërhyn realisht për të nxitur dhe mbështetur krijimin e vendeve të reja të punës në bashkëpunim me punëdhënësit nëpërmjet subvencionimit të tyre.
Llojet e programeve që ofron Shërbimi Kombëtar i Punësimit
Programi i nxitjes së punësimit të femrave nga grupe të veçanta
Ky program mbështetet në V.K.M nr. 27, datë 11/ 01/ 2012. Punëdhënësi që punëson me kontratë me kohëzgjatje një vjeçare, punëkërkues të papunë femra nga grupet e veçanta, mund të përfitojnë;
-Një financim për vit në masën 100 % të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore të pjesës së punëdhënësit.
- Një financim për 4 muaj në masën 100 % të pagës minimale në shkallë vendi, në muajin e 5, 6, 11 dhe të 12- të të kontratës.
- Punësimi deri në 100 % të numrit aktual mesatar të të siguruarve( të 3 muajve të fundit përpara aplikimit), për mikro-ndërmarrjet dhe deri në 50 % për ndërmarrjet e tjera.
Programi i nxitjes së punësimit nëpërmjet formimit në punë
Programi i nxitjes së punësimit nëpërmjet formimit në punë mbështeten në V.K.M nr. 47 datë 16/01/2008. Ky program synon të trajnojë dhe të integrojë në tregun e punës punëkërkuesit e papunë të pakualifikuar profesionalisht. Kohëzgjatja e trajnimit është jo më shumë se 6 muaj. Në këtë rast punëdhënësi përfiton 50-70 për qind të kostove të trajnimit. Nga ana tjetër punëkërkuesi përfiton: profesion të ri, mundësi më të mëdha punësimi dhe mbështetje financiare 50 për qind të pagës minimale për periudhën e trajnimit.
Programi i kryerjes së praktikave profesionale të studentëve
Programi i kryerjes së praktikave profesionale të studentëve mbështeten në vendimin e Këshillit të Ministrave me numër 873, datë 27/12/ 2006. Ky program synon kryerjen e praktikave profesionale të kësaj kategorie, pa eksperiencë në punë. Përfitojnë të gjithë punëkërkuesit e papunë, të cilët kanë mbaruar arsimin e lartë brenda apo jashtë vendit dhe kanë më pak se 24 muaj që kanë mbaruar studimet. Kohëzgjatja e programit është për një periudhë 6 muaj. Punëdhënësi dhe studentët pjesëmarrës përfitojnë financim mujor në masën 100 për qind të nivelit të pagesës së papunësisë.
Programi i nxitjes së punësimit të papunëve punëkërkues në vështirësi
Programi i nxitjes së punësimit të papunëve punëkërkues në vështirësi mbështetet në vendimin e Këshillit të Ministrave me numër 48, i datës 16/01/2008. Ky program ka një kohëzgjatje për një periudhë një vjeçare.
Kategoritë e përfituesve:
- Të papunë afatgjatë
- Përfitues të ndihmës ekonomike
- Përfituesit e pagesës së papunësisë
- Të rinj deri në moshën 25 vjeç
- Të papunë mbi 45 vjeç
- Të papunë me aftësi të kufizuara
- Të papunë romë
Punëdhënësi përfiton kontributet e sigurimeve shoqërore për të gjithë periudhën dhe 4 paga minimale në shkallë vendi.
Qëllimi i këtij programi
- Krijimi i vendeve të reja të punës dhe ulja e nivelit të papunësisë;
- Formimi profesional i punëkërkuesve të papunë në ato zona ku mungojnë kapacitetet trajnuese;
- Mbështetje financiare ndërmarrjes për të rritur aktivitetin e saj dhe për të bërë një përzgjedhje më të mirë të fuqisë punëtore;
- Përfshirja në këto programe e punëkërkuesve të papunë përfitues nga skemat e mbështetjes me të ardhura me qëllim uljen e kostos së këtyre programeve;
- Nxitja e punësimit për të rinjtë dhe grupet e veçanta të të papunëve.
Shërbimet që u ofrohen punëkërkuesve të papunë
Shërbimi Kombëtar i Punësimit, në mbështetje dhe bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqënies Sociale, ofrojnë një sërë shërbimesh për të gjithë ata persona që rezultojnë të papunë.
Kush përfiton nga këto shërbime:
- Të papunët
- Të vetëpunësuarit
- Të punësuarit që kërkojnë punë të re
- Punëdhënësit
- Shtetasit e huaj
- Emigrantët e kthyer
- Shtetasit shqiptar
- Nënat me shumë fëmijë
- Të rinjtë nën moshën 18 vjeç
- të papunët afatgjatë
- Viktimat e trafikimit
- Femrat e divorcuara
- Personat me aftësi të kufizuar
Orientimi për punësim
- informimi dhe këshillimi bëhet me qëllim hyrje në tregun e punës, nëpërmjet mbështetjes të personave të mësipërm për zgjidhjen e karrierës profesionale ose dhe formimit të mëtejshëm profesional.
- Ndërmjetësim me punëdhënësit për punësimin e punëkërkuesve
- Zbatim i programeve të përbashkëta të punësimit me biznese
- Ofrim formimi profesional nga Drejtoritë Rajonale të Formimit Profesional Publik me synimin përmirësimin e njohurive dhe përftimin e specialistëve që kërkohen për të hyrë në tregun e punës.
Subvencionim për të papunët
-Ofrim i mbështetjes financiare dhe subvencionimit të punëkërkuesve të papunë të regjistruar në regjistrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, për periudha të caktuara kohore me qëllim futjen e tyre në punë dhe rritjen e partneritetit me bizneset serioze të tregut të punës.
- Mbështetje me të ardhura për të papunët e larguar nga puna që përfitojnë pagesën e papunësisë sipas legjislacionit në fuqi.
Ndihmë shtetasve të huaj
Shërbimi Kombëtar i Punësimit ofron këshillim për legjislacionin dhe kriteret e punësimit për shtetasit e huaj të cilët kanë hyrë ose dëshirojnë të hyjnë në vendin tonë me lejen e punës, sipas legjislacionit përkatës.
Emigrantët e rikthyer
Shërbimi Kombëtar i punësimit ofron mbështetje dhe këshillim për të gjithë emigrantët e kthyer, për tregun shqiptar të punës, me synim integrimin e tyre si punëmarrës apo dhe të vetëpunësuar.
- Orientim drejt programeve të formimit profesional, ose vendeve të lira të punës në kuadër të zbatimeve të programeve të përbashkëta me bizneset private.
Nga Edlira Mema