Flet, Lumturi Mërkuri specialiste në Institutin e Shëndetit Publik
Mjekimet që mund të përdoren për të mbajtur nën kontroll sëmundjen. 10 faktet që duhet të dini për infeksionin. Shenjat dhe mënyra se si transmetohet
“Dita Botërore e HIV/AIDS organizohet më 1 dhjetor çdo vit për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e pandemisë. Kjo ditë është një mundësi për të shpërndarë informacion lidhur me situatën e kësaj pandemie dhe për të inkurajuar përparimin në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin për HIV/AIDS në të gjithë botën, veçanërisht në vendet me prevalencë të lartë”. Kështu është shprehur specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Lumturi Mërkuri, referuar një studim të fundit të bërë nga Departamenti i Promocionit. Sipas saj, nga viti 2011 deri 2015, Dita Botërore e AIDS-it organizohet nën sloganin: “Drejt zeros: Zero infeksione të reja HIV, Zero diskriminim për njerëzit me HIV/AIDS, Zero vdekje nga AIDS-i”. Fokusi i OBSH-së për fushatën 2013, është përmirësimi i aksesit në parandalimin, trajtimin dhe shërbimet shëndetësore për adoleshentët (10-19 vjeç), një grup që vazhdon të jetë vulnerabël, pavarësisht nga përpjekjet e bëra deri tani. Gjithashtu, 1Dhjetorit 2013, i parapriu “Java Evropiane e Testimit për HIV, 22-29 Nëntor 2013, i cili pati si slogan “Bisedo për HIV, Testohu për HIV”. Kjo fushatë synonte që njerëzit të inkurajoheshin për të folur hapur mbi përfitimet e kryerjes së testit për HIV, të inkurajonin individët në risk të kryenin testin për HIV, si dhe t’u ofrohen më shumë teste për HIV personave në risk. Organizimi i kësaj jave ishte i nevojshëm sepse të dhënat tregojnë se sot të paktën një në tre prej 2.3 milion njerëzve me HIV në Evropë nuk janë në dijeni se ato janë HIV pozitiv. Gati 50% e atyre të cilët janë HIV pozitiv janë diagnostikuar me vonesë- kjo vonon aksesin për trajtim”-thotë Mërkuri. Ja se si është shprehur më gjatë ajo në këtë studim për Gazetën “Republika”
Çfarë është Infeksioni HIV?
HIV (shkurtim i H-uman I-mmunodeficiency V-irus) është virusi, i cili dëmton sistemin mbrojtës të organizmit të njeriut duke e lënë atë të pambrojtur prej infeksioneve dhe prej disa lloje kanceri. Stadi më i avancuar i infeksionit HIV është sëmundja AIDS.
Çfarë është AIDS-i?
AIDS (shkurtim i A-cquired I-mmune D-eficiency S-yndrome) është një term që i referohet fazës më të avancuar të infeksionit HIV. AIDS manifestohet me një sërë shenjash, infeksionesh dhe disa lloj kanceri. Një person i cili është infektuar dhe ka virusin HIV në gjak nuk do të thotë që është me patjetër i sëmurë me AIDS. Mund të jetë i infektuar me virusin HIV por mund të mos jetë me AIDS. Pra, HIV nuk është sinonim i AIDS.
Sa njerëz janë të infektuar me HIV?
HIV/AIDS vazhdon të jetë një problem madhor global i shëndetit publik. Statistikat deri në fund të vitit 2012 tregojnë se janë më shumë se 35.3 milionë njerëz që jetojnë aktualisht me HIV/AIDS. 2.1 milion prej tyre janë adoleshentë (10-19 vjet) dhe 3.340.000 janë fëmijë. Mbi 700 fëmijë infektohen çdo ditë me HIV. Vetëm në vitin 2012 u infektuan 2.3 milion njerëz me virusin HIV. Rreth 36 milion njerëz kanë vdekur deri tani nga AIDS. 1,6 milionë njerëz kanë vdekur vetëm në vitin 2012.
Po në Shqipëri si është situata?
Në Shqipëri, rasti i parë i infektuar me HIV u zbulua në maj 1993. Që nga viti 1993 e deri në nëntor 2013, numri total i të infektuarve me HIV ka shkuar në 671. Numri i personave që kanë rezultuar HIV pozitiv për vitin 2013 është 96 persona (66 meshkuj dhe 30 femra), ku midis tyre 5 janë fëmijë. Numri total i fëmijëve të infektuar shkon në 33. Rreth 18% e rasteve të raportuara me HIV/ AIDS kanë humbur jetën për shkak të AIDS-it, midis tyre edhe fëmijë. Në 93 % të rasteve predominon rruga seksuale e transmetimit të virusit HIV dhe grupmosha më e prekur mbetet ajo 25-45 vjeç. Disa nga arsyet për këtë situatë janë: stigma dhe mungesa e konfidencialitetit, mungesa e testimeve vullnetare, informacioni i pakët dhe jo i saktë, hezitimi për të kryer testin, informacion i pakët për faktorët e sjelljes me risk të lartë, etj.
Si transmetohet HIV?
Infektimi me virusin HIV ndodh kur lëngjet e një personi të infektuar transmetohen tek një person tjetër nëpërmjet: gjakut, spermës, lëngjeve vaginale apo qumështit të gjirit.
HIV mund të transmetohet me anë të:
• marrëdhënieve seksuale të pambrojtur (vaginale ose anale) ose seksit oral me një person të infektuar;
• transfuzioneve me gjak të infektuar me virusin HIV
• shkëmbimit të shiringave, ose instrumenteve të tjera të mprehta të kontaminuara;
• transmetimit nga një nënë e infektuar tek fëmija i saj gjatë shtatzënisë, lindjes dhe ushqyerjes me gji. Virusi HIV nuk transmetohet gjatë bashkëjetesës normale që mund të sjellë përdorimin e përbashkët të: dushit, vaskës, ËC, peshqirit, telefonit, mjeteve të transportit publik, pishinës, frekuentimit të shkollës, etj. Po ashtu nga e puthura (jo e thellë), përqafimi, shtërngimi i duarve, teshtitja, kollitja nuk rezulton të merret infeksioni HIV. Infeksioni nuk transmetohet përmes; ujit, ushqimit, ajrit, pickimit të insekteve apo kujdesit të kafshëve.
Çfarë shenjash ka?
Përgjithësisht shenjat e sëmundjes do të varen nga stadi i infeksionit. Por, është e pamundur të llogaritet koha e saktë nga momenti i infektimit me HIV deri në zhvillimin e sëmundjes dhe shfaqjen e shenjave. Kjo kohë është e ndryshme për individë të ndryshëm dhe është në varësi të stilit të jetesës, të mënyrës së të ushqyerit, terapisë dhe mbështetjes sociale e psikologjike. Përgjithësisht kjo periudhë është 2 deri në 15 vjet por ndonjëherë më e shkurtër. Me futjen e terapisë antiretrovirale (ARV) dhe profilaksisë për infeksionet oportuniste, është zgjatur koha e fillimit të sëmundjes dhe mbijetesa e të sëmurëve.
Si vendoset diagnoza e HIV/AIDS?
Infeksioni HIV zakonisht diagnostikohet nëpërmjet testeve të gjakut të cilat tregojnë prezencën ose mungesën e antitrupave HIV. Në Shqipëri, testimi për infeksionin HIV kryhet falas në të gjitha qendrat e Këshillimit dhe Testimit Vullnetar (QKTV) në Tiranë, Shkodër, Lezhe, Dibër, Durrës, Fier, Lushnjë, Fier, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Gjirokastër. Në Tiranë gjithashtu ky testim ofrohet në Institutin e Shëndetit Publik, dhe në QSUT ku ndodhen Laboratorët e Referencës që kryejnë konfirmimin e rastit HIV pozitiv. Në vendin tonë vazhdon të mbetet problem diagnostikimi i vonshëm, ku më shumë se 50% e rasteve diagnostikohen në stadin AIDS.
A ka mjekim për HIV/AIDS?
Për momentin nuk ka shërim apo vaksinë për infeksionin HIV. Megjithatë, egzistojnë trajtime efektive me barna Anti RetroVirale (ARV) që mundësojnë ngadalësimin e përhapjes së virusit si dhe trajtojnë infeksionet oportuniste. Marrja e barnave ARV bën të mundur që një person me HIV të jetojë më gjatë dhe të bëjë një jetë më të shëndetshme dhe produktive. Nëse partneri HIV pozitiv në një çift është duke marrë mjekim me ARV, mundësia e transmetimit seksual tek partneri HIV-negativ ulet në mënyrë dramatike. ARV zgjat jetën dhe cilësinë e saj, duke e shndërron AIDS-in në një sëmundje kronike. Barnat antiretrovirale, një dietë dhe ushqyerje e shëndetshme si dhe strategji të jetuarit në mënyrë pozitive zgjasin dhe përmirësojnë cilësinë e jetës së të sëmurëve.
Po në Shqipëri a ka barna të tilla?
Po, terapia antiretrovirale prej vitit 2004 ofrohet falas edhe në vendin tonë. Aktualisht e marrin këtë terapi 296 pacientë në Shërbimin Infektiv në QSUT dhe 20 fëmijë e marrin këtë terapi pranë Shërbimit Infektiv të Pediatrisë/QSUT.
Si parandalohet infeksioni HIV?
Parandalimi i transmetimin të virusit HIV është mjeti kryesor i luftës kundër përhapjes së HIV/AIDS-it. Nëse njerëzit janë të ndërgjegjshëm se si transmetohet HIV ata mund të marrin masat e duhura për ta bërë këtë. Disa nga masat që duhen marrë për parandalimin e infeksionit përfshijnë: abstenimi ndaj seksit, përdorimi i prezervativit gjatë çdo forme të marrëdhënieve seksuale, mos shkëmbimi i ageve, brisqeve apo instrumenteve të tjerë që përdoren për piercing, tatuazhe, mjekimi i IST-ve, bërja e testit për HIV nëse mendohet se ka pasur sjellje risku, etj.
10 FAKTE PËR HIV/AIDS
1. HIV (virusi i deficiencës së imunitetit human) infekton qelizat e sistemit imunitar
Infeksioni HIV rezulton në një përkeqësimin progresiv të sistemit imunitar, ulje të aftësisë së organizmit për të shmangur disa infeksione dhe sëmundje. AIDS (sindromi i mangësisë së imunitetit të fituar) i referohet fazave të avancuara të infeksionit HIV.
2. HIV mund të transmetohet në disa mënyra
HIV mund të transmetohet me anë të:
• marrëdhënieve seksuale të pambrojtur (vaginale ose anale) ose seksit oral me një person të infektuar;
• transfuzioneve me gjak të ndotur;
• shkëmbimit të shiringave, ose instrumenteve të tjera të mprehta të kontaminuara;
• transmetimit nga një nënë e infektuar tek fëmija i saj gjatë shtatzënisë, lindjes dhe ushqyerjes me gji.
3. Rreth 35.3 milionë njerëz jetojnë me HIV në mbarë botën
Më shumë se 35.3 milionë njerëz jetojnë aktualisht me HIV, dhe 2.1 milion prej tyre janë adoleshentë (10-19 vjet). Të gjithë adoleshentët janë të prekshme ndaj HIV për shkak të tranzicionit fizik dhe emocional të tyre, si dhe marrjen përsipër të sjelljeve potencialisht me rrezik të lartë, në këtë periudhë të jetës. Shumica dërrmuese e njerëzve me HIV jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Rreth 2.3 milion njerëz u infektuan me virusin HIV vetëm në vitin 2012.
4. HIV është infeksioni vrasës kryesor në botë
Rreth 36 milion njerëz kanë vdekur deri tani nga HIV /AIDS dhe 1,6 milionë njerëz kanë vdekur vetëm në vitin 2012.
5. Terapia antiretrovirale (ARV) e kombinuar, parandalon shumëzimin e virusit HIV
Nëse riprodhimi i virusit HIV ndalon, atëherë qelizat imunitare të trupit janë në gjendje të jetojnë më gjatë dhe ti sigurojnë trupit mbrojtje nga infeksionet. Nëse partneri HIV pozitiv në një çift është duke marrë mjekim me ARV, mundësia e transmetimit seksual tek partneri HIV-negativ ulet në mënyrë dramatike.
6. Rreth 10 milion njerëz HIV pozitiv morën mjekim me ARV deri në fund të 2012
Por, janë rreth 29 milionë njerëz të cilët do të kërkonin mjekim me terapi antiretrovirale në vitin 2013 sipas rekomandimeve te reja.
7. Rreth 3.340.000 fëmijë jetojnë me virusin HIV
Sipas të dhënave të vitit 2012 shumica e këtyre fëmijëve jetojnë në Afrikën Sub-Sahariane dhe janë infektuar nga nënat e tyre HIV-pozitiv gjatë shtatzënisë, lindjes apo ushqyerjes me gji. Mbi 700 fëmijë infektohen çdo ditë me HIV.
8. Transmetimi i HIV-it nga nëna te fëmija është pothuajse tërësisht i shmangshëm
Qasja në ndërhyrje parandaluese mbetet e kufizuar në shumicën e vendeve me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Por, megjithatë është bërë përparim. Gjatë vitit 2012, 62% e grave shtatzëna që jetojnë me HIV kanë marrë medikamentet më efektive (siç rekomandohet nga OBSH) për të parandaluar transmetimin e virusit nga nëna te fëmija.
9. HIV është faktori risk më i fuqishëm për zhvillimin e sëmundjes së tuberkulozit
Në vitin 2012, rreth 320 000 të vdekur nga tuberkulozi ishin në mesin e njerëzve që jetojnë me HIV. Kjo është një e pesta e 1.6 milion vdekjeve nga HIV për atë vit.
10. Ka disa mënyra për të parandaluar transmetimin e HIV-it
Mënyra kryesore për parandalimin e transmetimit të HIV:
• praktikimi i sjelljeve të sigurta seksuale të tilla si përdorimi i kondomit;
• testimi dhe trajtimi i infeksioneve seksualisht të transmetueshme;
• shmangia e drogave me injeksion, ose nëse aplikohen, gjithmonë përdoren gjilpëra dhe shiringa të reja;
• të siguroheni që nëse merrni gjak ose produkte të tij, të jenë testuar për HIV.
Nga: EDLIRA MEMA
OSMAN DEDJA